Rreth 1.900 aplikantë për Shkollën e Policisë do të kryejnë testin fizik, i cili ka 20% të vlerës së performancës së përgjithshme. Në përfundim të testimit me shkrim, kandidatët do të zhvillojnë edhe tri fazat e tjera të konkurrimit, të cilat janë: testimi i aftësive fizike, që pritet të zhvillohet brenda 2 javësh, pas daljes së rezultateve të testimit me shkrim. Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit, që do të zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit të aftësive fizike. Testimi psikologjik, i cili do të zhvillohet në përfundim të tri testimeve të para. Pesha specifike e secilit testim, në raport me rezultatin e përgjithshëm, është: testimi me shkrim zë 70%; testimi i aftësive fizike zë 20%; intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit zë 5% si dhe testimi psikologjik zë 5%. 

Për t’u quajtur kalues në provimin e aftësive fizike, kandidatët duhet të marrin të paktën 60% të pikëve të testimit. Oficerët e policisë kryejnë disa funksione tepër unike gjatë detyrës, disa prej të cilave mund të kërkojnë përgatitje të lartë fizike. Shkalla e aftësisë fizike të policit për t’i kryer këto funksione përcakton ndikimin e vet te siguria personale dhe ajo publike. Përgatitja fizike qëndron në themel të aftësisë së policit për të kryer detyrat e zakonshme dhe ato kritike. Në rast se polici është nën nivelet minimale fizike të parashikuara në këtë dokument, atëherë kompromentohet performanca e tij në kryerjen e detyrave policore. Nivelet e larta të përgatitjes fizike shoqërohen me performancë më të mirë në kryerjen e detyrave fizike që duhet të përmbushin punonjësit e policisë së shtetit shqiptar. Megjithëse nuk është publikuar zyrtarisht kalendari i testimit fizik, burime nga policia thanë se ai nuk ka ndryshime themelore në krahasim me testimin e vitit të kaluar. Por, çfarë është administrimi i Serisë së Testit të Përgatitjes Fizike (STPF). STPF-ja e testit fizik për aplikantin për në Shkollën e Policisë përbëhet nga pesë komponentë: kërcim vertikal, ushtrime për barkun një minutë, maksimumi i mundshëm pompash, vrap 300 metra dhe ecje/kros 2.4 km, shkruan "Gazeta Shqiptare".

Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit, nga 5012 aplikantët do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë Shkollën Bazë të Policisë.