Është nënshkruar sot një marrëveshje e përbashkët mes FMN dhe qeverisë shqiptare. Shefja e misionit të FMN për programin me Shqipërinë, Anita Tuladhar, gjatë një konference për shtyp deklaroi se sistemi bankar është likuid dhe stabël. Gjithashtu, ajo shtoi se do të merren masa nëse ka mangësi në mbledhjen e të ardhurave.

Shefja e misionit te FMN tha se është arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare dhe po kështu ka mbyllur dhe shqyrtimin e marrëveshjes së zgjeruar të FMN, që do miratohet nga bordi në maj. Sa i takon parashikimit ekonomik për të ardhmen, shefja e FMN tha se pritet të vazhdojë ritmi i mirë i rimëkëmbjes ekonomike. Gjithashtu, shkalla e rritjes ekonomike pritet të jetë 3.4%. "Sa i takon sistemi bankar, vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Kërkohet një ulje e mëtejshme në rimbëkëmbjen e kreditimit të ekonomisë," – tha Tuladhar.

Ministri i financave Arben Ahmetaj u shpreh se sfidë mbetet investimi në mënyrë produktive dhe të zgjuar. "Beteja kundër informalitetit do të vazhdojë," – tha ai, duke shtuar se ekonomia shqiptare ka lënë prapa riskun e skenarit grek. "Qëllimi i një qeverie është që aktori primar investuese të jetë sektori privat. Ajo që kemi detyrë është të bëjmë investime të zgjuara.  Kjo nuk është një çështje që diskutohet vetëm sot, por ka të bëjë me kapacitetin që ka Shqipëria për të investuar në mënyrë të zgjuar. Kemi bërë një ndryshim në strukturën e MF, ku kemi ngritur katër shtylla: programimi, monitorimi, qeveria vendore dhe nisia e investimeve publike dhe riskut që mund t’i vijë buxhetit nga partneriteti publik-privat. Ekonomia shqiptare ka lënë prapa riskun e skenarit grek. Beteja kundër informalitetit është në themel të barazisë. Sektorët që dalin me risk më të lartë do të kenë edhe vëmendjen më të madhe," – sqaroi ministri Ahmetaj.