Pavarësisht temperaturave të larta të gushtit dhe sezonit të pushimeve, protestat masive në Tiranë nuk kanë ndalur. Tubimi i sotëm shënoi protestën më të madhe të zhvilluar gjatë muajit gusht, ndërkohë që janë mbushur 76 ditë revolte.
Në shesh kanë mbërritur edhe shumë shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë udhëtuar nga vendet ku jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës dhe kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrësit janë shprehur të vendosur se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre, duke kërkuar ndryshim politik dhe një klasë të re politike.
Mesazhi i protestuesve është për një sistem që, sipas tyre, të jetë më transparent dhe larg korrupsionit.
Siç duket, për protestuesit nuk përbëjnë pengesë as temperaturat e larta dhe as pushimet verore. Ata kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre në shesh deri në përmbushjen e kërkesave.





