Të dhënat e thesarit të shtetit, të analizuara nga BIRN, tregojnë se gjatë vitit 2015 kostoja e përgjithshme e faturave të shlyera për pushimet e padrejta nga puna arriti në 3.1 miliardë lekë (rreth 22.3 milionë euro), ku pothuajse të gjitha institucionet kryesore në vend qenë përgjegjës për këtë dëm.
Punonjësit në administratën publike shqiptare pushohen shpesh nga puna për arsye të paqena, kryesisht për të liruar vende pune që më pas mbushen me mbështetës të ministrit apo drejtorit të rradhës. Përgjatë 25 viteve të fundit, punësimet për arsye politike janë një sekret i njohur nga të gjithë. Dhe një fakt i pranuar nga të gjithë është gjithashtu që punonjësit e pushuar nga puna i drejtohen gjykatave, të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve, i japin të drejtë dhe akordojnë kompensim financiar, i cili, në fund, paguhet nga taksapaguesit.
Ministria e Financave publikon çdo ditë në faqen e saj të internetit listën e shpenzimeve të buxhetit të shtetit të ekzekutuara nga thesari. Që nga marsi i vitit 2014 te kategoritë e shpenzimeve është shtuar zëri “Shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna”, gjë që e bën të mundur identifikimin e faturave të lidhura me praktikën e pushimeve të padrejta si dhe të institucioneve përgjegjëse për këto dëme. Gjithsesi, një shikim i detajuar i të dhënave të publikuara sugjeron se kategorizimi i shpenzimeve mbart pasaktësi dhe se shifra totale e filtruar prej 3.1 miliardë lekësh mund të mos jetë tërësisht e saktë.
Nga totali prej 3.1 miliardë lekësh, vetë Ministria e Financave qe përgjegjëse për shumicën dërrmuese të dëmit. Ajo shpenzoi 1.5 miliardë lekë për të paguar kompensime për punonjësit e spastruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e saj, si edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Të dyja institucionet, të cilat kanë bashkarisht rreth 3 mijë të punësuar, janë të njohura pës spastrime masive që shoqërojnë ndryshimet e qeverive.
Kostoja prej 3.1 miliardë lekësh të shpenzuara në vitin 2015, i shtohet një fature prej 3.3 miliardë lekësh, të cilat buxheti i shtetit i shpenzoi në periudhën mars 2014 – dhjetor 2014. Në përgjithësi, këto qenë ekzekutime të faturave për pushime nga puna të kryera gjatë qeverisë paraardhëse ndërkohë që faturat e vitit 2015, qenë në masë të gjerë produkt i pushimeve nga puna të qeverisë aktuale.
Që nga marsi i vitit 2014 deri në dhjetor 2015, kostoja totale për pushimet e padrejta nga puna arrin në 6.4 miliardë lekë. Kjo është një shumë e stërmadhe për një vend të varfër si Shqipëria, pasi me kaq para, qeveria mund të riparonte 60 shkolla, ose të ndërtonte 50 kilometra autostradë.
Marrë me shkurtime nga BIRN