Ministri i transportit dhe infrastrukturës Edmond Haxhinasto ishte në Krastë të Elbasanit ku, në Ditën Ndërkombëtare të Ujit, ka inspektuar depot e ujit që furnizojnë të gjithë rrethin. I shoqëruar dhe nga nxënës të shkollave 9-vjeçare, ministri Haxhinasto bëri thirrje për ndërgjegjësim për mosshpërdorim të ujit. "Uji është jetë, është i domosdoshëm në jetën tonë, por akoma ne nuk e trajtojmë atë si diçka të tillë me vlerë dhe akoma nuk kemin arritur që këtë ujë t'ia ofrojmë të gjithë qytetarëve në sasinë dhe cilësinë e duhur. Ndërgjegjësimi i njerëzve që ta trajtojnë ujin si pasuri," – tha Haxhinasto.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, vlerësoi nevojën për investimin 7 milionë euro për të arritur furnizimin 24 orë të qytetarëve. "Elbasani ka sasinë e nevojshme dhe të domosdoshme. I mungon vetëm infrastuktura e brendshme që kërkon një investim jo shumë të madh, maksimumi shkon deri në 7 milionë euro. Unë shpresoj që gradualisht, dy vjet rresht, ne mund të arrijmë që qytetit tonë t’i japim 24 orë ujë," – tha kryebashkiaku Sejdini.

Pjesë e inspektimit sensibilizues për mirëmenaxhimin e burimeve ujore u bënë dhe nxënësit e Shkollës 9-Vjeçare "Vasil Kamami" të Elbasanit.