Asnjë herë më parë nuk kish ndodhur që të paralizohej transporti hekurudhor i mallrave dhe pasagjerëve për disa orë me radhë, e jo më për një kohë të gjatë. Prej së premtes, pesë ditë më parë, asnjë prej trenave të pasagjerëve dhe mallrave nuk lëviz më në rrugët e hekurta, pasi kompania Kastrati, që bën furnizimin e lokomotivave me naftë ka mbyllur rubinetet. Denoncimi i situatës është bërë nga sindikalistët, të cilët pohojnë se Hekurudha Shqiptare është zhytur në borxhe tek distributori i naftës. “Pasi na furnizoi për një kohë të gjatë pa shlyer pagesat, kompania Kastrati e ndërpreu furnizimin me naftë të lokomotivave, dhe është pezulluar gjithçka. Hekurudha ka falimentuar, pasi buxheti i shtetit po financon vetëm pagat”, deklaroi Shefqet Muca, nënkryetar i sindikatës së Hekurudhës.

Ndërsa Shaqe Dervishi, kryetar i sindikatës për infrastrukturën u bëri thirrje punëtorëve të bashkohen nën lëvizjen sindikaliste.

I kontaktuar nga “DurrësLajm”, Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, Genc Alizoti, pranon ndërprerjen e transportit të udhëtarëve, ndërsa sqaron se situata do gjejë zgjidhje shumë shpejt.

K.H.