*Një biznes, që ka NIPT-e sekondare paguan më shumë se një herë taksën e arsimit…
Hallet me taksat e bashkisë nuk kanë të sosur. Taksa e pastrimit e dyfishuar automatikisht për të gjitha bizneset duket se i ka vënë në vështirësi disa, që në aktivitetin e tyre nuk e cenojnë ambientin.
Një showroom në zonën e Bllokut ne Tiranë tha se rrezikon mbylljen e aktivitetit për shkak se duhet të paguajë 74,000 mijë lekë në vit për një dyqan 25 metër katror si taksë pastrimi. Kjo taksë është dyfishuar në raport me vitin e mëparshëm.
Veç kësaj biznesi në fjalë duhet të paguajë taksën shtesë për arsimin që në rastin konkret është 27 000 lekë në vit. Kështu, barra fiskale nga 34,000 lekë në total që ishte vitin e kaluar si taksa bashkie, këtë vit, sipas faturës që bashkia i ka sjellë biznesit në fjalë shkon në 101 000 lekë në vit, pra një rritje prej 197%.
Biznesi, që zyrat kryesore i ka në Vlorë, ka vetëm dy dyqane të vogla në Tiranë me pak metra katror dhe për secilin, paguan taksa pastrimi trefishin në krahasim me një njësi ushqimore ngjitur që krijon ndotje në ambient shumëfish se showroom-i.
Por absurditeti qëndron në faktin se, përveç taksës së pastrimit ai paguan dy herë taksën e arsimit për të dyja filialet e dyqaneve.
Logjikisht taksa e arsimit duhet të mblidhet vetëm njëherë për një biznes. Por biznesi në fjalë paguan dy herë taksën nëpërmjet dy filialeve të shitjes në Tiranë sipas faturës që i ka dërguar bashkia, gjithsej 54 000 lekë në vit.
Biznesi në fjalë pohon se i duhet të punojë tre muaj rresht për të përballuar taksat vendore pa llogaritur kostot e tjera të transportit etj.
Taksa për arsimin u aplikua këtë vit për herë të parë nga Bashkia e Tiranës. Për familjarët kjo taksë është 1800 lekë në vit, ndërsa për bizneset varion nga 4,000 -37,000 lekë në vit.
Në shkurt, bizneseve u erdhën taksat e dhjetëfishuara të hapësirës (nga 150 lekë metri katror u bë 1500 lekë) dhe tarifa e pastrimit prej 2500 lekë për tavolinë u aplikua dhe për bizneset e vogla. Për baret e lokalet kjo ngarkesë ishte tepër e lartë në raport me xhiron dhe Bashkia u tërhoq, duke përgjysmuar taksën e hapësirës për zonat jashtë bllokut dhe duke hequr taksën e tavolinës, ndërkohë që u tha që janari dhe shkurti do paguheshin me tarifat e vjetra.
Mësohet se bizneset ndërkohë po organizohen në një sindikatë dhe pritet të reagojnë sërish ndaj barrës së rritur të taksave.
/Monitor