Teksa ka kaluar një ditë pasi Bankers Petroleum njoftoi se po shkon drejt shitjes së të gjitha aseteve që zotëron, në një vlerë totale prej 392 mln eurosh, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka bërë me dije se transferimi i aksioneve tek një kompani kineze nuk cënon asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar.
Një prononcim në lidhje me këtë situatë ka dhënë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele. "Nuk ndryshon raporti i shtetit shqiptar me kompaninë që operon në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës dhe detyrimet që kjo kompani ka ndaj shtetit shqiptar, në respektim të marrëveshjes hidrokarbure për pagesat kryesore, ku më e rëndësishmja është renta, si edhe marrëveshjen e Bankers Petroleum me tatimet për shlyerjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga vlerësimi tatimor," – u shpreh më tej ai.
"Është një aktivitet që zhvillohet lirshëm mes palëve, në përputhje me legjislacionin e vendit, që në këtë rast është kompania në Kanada, por edhe me praktikat ndërkombëtare në fushën e hidrokarbureve. Pra, kemi të bëjmë me një shitje tek një kompani që, në pamje të parë, është me një vlerë më të madhe," – sqaroi Bele.