Duke filluar nga sot deri më 8 prill, subjektet e biznesit, në cilësinë e punëdhënësve, kanë afat për të aplikuar për përfitimet e këtij viti që rrjedhin nga programet e ndryshme të nxitjes së punësimit, që financohen nga buxheti i shtetit.

Aplikimi kryhet duke plotësuar formularët e përcaktuar, të cilat mund të tërhiqen pranë Zyrës së Punës, në Durrës, ose mund të shkarkohen edhe nga faqja zyrtare në internet e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, shkp.gov.al.

Në bazë të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi, punëdhënësit kanë të drejtë të përfitojnë lehtësira financiare, sa i përket pagesave të kontributeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, apo edhe lehtësira të tjera, në formën e subvencionimeve të ndryshme në pagë. Punëdhënësit mund t’i përfitojnë këto lëhtësira nëse punësojnë të rinj, gra, gra kryefamiljare, jetimë, persona me aftësi të kufizuar, etj.