Prej pak ditësh, në rrugën “Pavarësia” në  plazhin e Durrësit janë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethimin e trotuareve, shkuljen e bordurave anës trotuareve, prishjen e kuadrateve të gjelbra të lulishteve dhe vendet e parkimit dhe të shëtitores së biçikletave, investim ky që u inaugurua në qershor të 2015-s, pak ditë para zgjedhjeve lokale. Poshtë këmbëve të urës së Dajlanit, është vendosur tabela e projektit, me të dhënat sqaruese, që mungonin derisa media ngriti shqetësimin.

Projekti konsiston në rehabilitimin e të dy anëve rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në plazh me vlerë rreth 2,2 miliardë lekë. Por një investim i dytë ka sjellë edhe reagimin e ashpër të banorëve dhe të biznesit në plazhin e Durrësit.

(Në foto, projekti)

Banorët e plazhit i kanë kërkuar bashkisë së qytetit, të bëjë transparencë me fondet publike, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje të bëjë transparent projektin, që sipas të gjitha gjasave, ngushton rrugën në dy korsi, dhe heq plotësisht parkingjet anës rrugëve.

Projekti parashikon ngushtimin e rrugës nga tre në 1 korsi për secilin sens, dhe zgjerimin e saj vetëm me trotuar e beton në të dy krahët. Në projekt është hequr parkingu i mjeteve në të gjithë zonën, duke i lënë më shumë hapësirë këmbësorëve.

K.H.