Të papunët e Durrësit janë me fat kur gjejnë një punë në peshkim, në anijet e gjuetisë. Fatbardh Mborja, 45 vjeç, prind i dy fëmijëve, mundësi të vetme punësimi në këtë periudhë krize ka vetëm peshkimin. “Erdha 12 vjet më parë, nga emigrimi nga Gjermania. Më kthyen. Nisa punë në peshkim, dhe ky zanat është bërë pasioni im”, thotë 45-vjeçari në një intervistë për “DurrësLajm”.
“Pagat nuk shkojnë më shumë se 30 mijë lekë në muaj, por formalizmi i këtij sektori ka bërë që edhe punonjësit të kenë më shumë të drejta, duke iu njohur vjetërsia në punë. Dalim në gjueti 70 deri në 80 orë me anije në det të hapur, dhe prodhimi është gjithmonë në rënie. Ky sektor po mban me bukë shumë familje, dhe duhet të ketë vëmendje të shtuar ndaj tij”, shprehet 45-vjeçari.
Pavarësisht se peshkimi është një prej sektorëve më të vështirë në tregun e punës, ku peshkatarët përballen me procese të vështira pune, mbetet edhe më pak i paguari. Numri i të punësuarve në këtë sektor, nga viti në vit ka pësuar rënie, ndonëse shifra ekzakte nuk ka. Deri para viteve 2000, sektori i peshkimit në Durrës, kishte një flotë peshkimi shumë të mirë e të mirëmbajtur, por aktualisht, e ardhmja e këtij sektori është tërësisht e zbehtë.
K.H.