Autoritete greke zhvendosën mbrëmjen e së dielës grupe të mëdha të refugjatëve nga Porti i Elefsinës drejt qytetit verior grek të Janinës, në kufi me Shqipërinë. Sipas burimeve greke, refugjatët filluan të arrijnë në aeroportin e vjetër ushtarak, në Kacikas, me 26 autobusë.

Burimet greke flasin se autobusët  mbanin  rreth 1.200 refugjatë të cilët kishin zbarkuar në ishujt e Egjeut dhe më pas ishin transportuar në Portin e Elefsina-s.

Strehimorja  në ish-aeroportin ushtarak në Janinë ishte përgatitur këto ditë nga forcat ushtarake greke, por kushtet janë të ndryshme dhe të vështira. Kjo pasi ky kamp në fushë të hapur nuk ofron kushte si qendra të tilla në Konicë dhe Pogon ku u vendosën këto ditë grupe më të vogla të refugjatëve.

Sipas burimeve greke, refugjatët janë pritur nga përfaqësues të Bashkisë së Janinës, anëtarët e Kryqit të Kuq dhe organizatat vullnetare, ekipe të ndihmës mjekësore dhe janë shoqëruar nën një mbikëqyrje të madhe policore.

Sipas burimeve greke, shumë prej tyre kanë probleme shëndetësore. Me ardhjen e refugjatëve, sipas autoriteteve vendore në Janinë, menjëherë ka filluar edhe procesi i regjistrimit. Bashkia e Janinës u bëri thirrje banorëve të shprehin solidaritetin në ndihma me ushqime, ndërkohë që priten grupe të reja të refugjatëve.

Sipas mjeteve greke të informimit, grupet e para të refugjatëve që u zhvendosën këto ditë nga portet greke në zonat e rajonit të Janinës kërkojnë të transferohen drejt Athinës për të udhëtuar më pas drejt vendeve të tjera perëndimore. /Zëri i Amerikës