Prodhimi dhe shitja e armëve luftarake, prej vitit 2015 dënohet me burgim maksimal deri në 50 vjet. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka si dënime maksimale 35 vjet burgim ose burgim të përjetshëm.

Por mesa duket, një lapsus në Fletoren Zyrtare nr. 249 të vitit 2015 në zbardhjen e disa amendimeve të Kodit Penal, të miratuara me ligjin nr. 135/2015, ka sjellë një problematikë në zbatimin në praktikë të tij, raporton "Boldnews.al".

Në nenin 17 të këtij ligji, i cili ndryshon neni 278 “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, thuhet shprehimisht: “Prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave ose minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore dënohet me burg nga pesë deri në pesëdhjetë vjet”.

Në këtë frymë, dënimi maksimal me 50 vjet burgim për armëmbajtje pa leje duket qartë se është një lapsus, i cili duhet gjendur tek hartuesit ligjvënës ose në zbardhjen e tij nga Qendra e Botimeve Zyrtare. Logjikisht, numri 50 duhet të jetë 15 vite burgim, por gjithsesi, ai gjendet i shkruar qartësisht pesëdhjetë në Fletoren Zyrtare.