Bankers Petroleum Ltd, kompania që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, ka bërë të ditur sot në faqen e saj zyrtare se ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd dhe Charter Power Investment Ltd për shitjen e të gjitha aksioneve të Bankers Petroleum Ltd me një çmim prej 2.20 dollarë për aksion.
Alberta Ltd dhe Charter Power Investment Ltd janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation, një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë. Marrëveshja e vlerëson Bankers Petroleum në rreth 575 milionë dollarë kanadez përpara vlerësimit të borxheve. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë amerikanë.
Marrëveshja ka marrë miratimin unanim të Bordit të Drejtorëve të Bankers Petroleum Ltd dhe të stafit menaxhues. Blerësi do të sjellë një fokus të ri investimi në portofolin e aseteve të Bankers Petroleum Ltd.
Bankers Petroleum Ltd ka zyra qendrore në Kalgari, Kanada, dhe zyra operative në Shqipëri, Hungari dhe Rumani.
David French, presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Bankers Petroleum, ka komentuar se "transaksioni i propozuar i jep Bankers mundësinë t’i kthejë vlerë aksionerëve tanë me një premium të konsiderueshëm ndaj vlerësimit aktual të tregut, ndërsa i ofron Bankers burime financiare shtesë për të përshpejtuar aktivitetin në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve të produktit. Ky transaksion do të gjenerojë përfitime domethënëse ekonomike për Shqipërinë dhe komunitetin lokal, ku vepron Bankers."
Marrë nga revista "Monitor"