Ministri i jashtëm Ditmir Bushati zhvillon nesër një vizitë zyrtare në Athinë. Mediat taportojnë se pikat e diskutimit të tij me homologun grek Nikolaos Kotzias do të jenë abrogimi i ligjit të luftës mes dy vendeve, situata e minoritetit grek në Shqipëri dhe integrimi evropian i Shqipërisë. Ndërkohë, mësohet se do të diskutohen edhe marrëveshjet dypalëshe, si edhe situata në rajon dhe çështja e refugjatëve.
Ministrja e Jashtme e Greqisë ka bërë të ditur se do të ketë një takim kokë më kokë mes dy kryediplomatëve dhe më pas do të vijohet me ballafaqimin ndërmjet dy delegacioneve. Gjithashtu, paralajmërohet të dy ministrat e jashtëm do të dalin edhe para mediave.
Ndërkohë, Shpëtim Idrizi, deputet dhe kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, i ka kërkuar ministrit Bushati që të mos harrojë edhe çeshtjen çame, duke i kujtuar atij që të kthehet në Tiranë me emrin Ditmir dhe jo si Dhimitër. “Zoti Ministër, ju kujtoj faktin se në hollin e Ministrisë së Jashtme greke, ku jo do të mbani konferencën tuaj për shtyp me homologun grek, është zhvilluar një konferencë për çeshtjen çame. Kjo është një arsye më shumë që t’ju ftoj të thoni të vërtetën e palundërshtueshme të shqiptarëve të Çamërisë, të kombit tonë, timin, tuajin! Sepse e vërteta tremb vetëm ata që janë në anën e gabuar. Ju ftoj që të mbroni dinjitetin kombëtar dhe parimet e vlerat evropiane në takimin tuaj në Athinë dhe jam besimplotë se do të ktheheni në Tirani si ministër i jashtëm i Shqipërisë me emrin Ditmir e jo si Dhimitër,” – ka thënë Idrizi.





