Policia e Shtetit, në Kamëz, ka vënë sot në pranga shtetasit H. T., 22 vjeç, dhe Sh. T., 33 vjeç. Këta persona, të paraqitur si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer kontrolle të automjeteve dhe kanë kërcënuar dy persona me qëllim grabitjen e tyre.

Sipas burimeve policore, dy drejtues automjetesh janë paraqitur në Komisariatin Nr. 5 dhe kanë bërë kallëzim se më datë 18 mars, në Kamëz, persona të panjohur i kanë ndaluar ata, duke u paraqitur si punonjës policie të veshur civil, dhe u kanë kërkuar fillimisht të bënin kontroll të mjeteve dhe më pas i kanë kërcënuar me fjalë, me qëllim që ata t’u jepnin lekët që kishin me vete.

H. T. dhe Sh. T. akuzohen për “mbajtje pa të drejtë të uniformës” dhe “vjedhje e kryer ne bashkëpunim, e mbetur në tentativë”. Sipas burimeve policore, është shpallur në kërkim edhe një person tjetër.