Më 23 mars, shoqëria e përmbarimore EPSA zhvillon ankandin e dytë për shitjen e pjesshme të rafinerisë ARMO. Përmbarimorët po e zhvillojnë ankandin për llogari të Bankës Raiffeisen, ndaj së cilës kompania ka një kredi të pakthyer prej 2.8 miliardë lekësh, ose 20 milionë eurosh. Në ankandin e parë, zhvilluar më 19 shkurt, dhe pavarësisht se publiciteti i ishte i mjaftueshëm për rastin, nuk u paraqit asnjë i interesuar. Burimet nga shoqëria përmbarimore EPSA pohojnë se, bazuar në ligjin për ankandin publik, sendi i lënë kolateral në ankandin e dytë del në shitje me gjysmë çmimi.

Kështu, nga 2.8 miliardë lekë, pjesët e uzinës, truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë, do të dalin në shitje për 1.4 miliardë lekë, ose 10 milionë euro.

Përveç Raiffeisen Bank, edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh e më i keq në Shqipëri. Më 3 mars, shoqëria përmbarimore TDR Group i është drejtuar QKR ku, me kërkesë të kreditorit Tirana Bank, ka urdhëruar vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqëria ARMO dhe dorëzanësve të tij, Anica Mercuria Refinery Associated Deveron Oil Albania. Bllokimi është bërë për shkak të mosshlyerjes së një kontrate kredie të lidhur në vitin 2010 dhe me shtojcë në vitin 2011. Urdhri i sekuestros nuk e përcakton shumën, por në bilancin e kompanisë për vitin 2013, huaja ndaj Tirana Bank është rreth 2.8 milionë euro.

Marrë me ndryshime nga revista “Monitor”