Vrasja me armë zjarri që është shënuar mëngjesin e kësaj të premteje në Kashar, lidhet me vrasjen e një viti më parë po në këtë zonë (lexo këtu: Vrasja në Kashar, e fejuara e la autorin se pinte alkool).

Sipas informacioneve të para të policisë, shtetasi Bujar Xhaferri ka vrarë shtetasin Skënder Aluku dhe dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje krushqie.

Në maj të 2015-s, Altin Aluku që është djali i viktimës së sotme, ka vrarë të vëllanë e autorit, shtetasin Lutfi Xhaferri.

Ndërsa sot, Bujar Xhaferri, për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij Lutfiut, ka vrarë me armë zjarri Skënder Alukun, të atin e Altinit.

Ngjarja më 17 maj të 2015-s

Altin Aluku, 39 vjeç ekzekutoi ish-vjehrrin, Lutfi Xhaferri dhe plagosi ish-vjehrrën, për shkak të prishjes së lidhjes me vajzën e tyre. Aluku ka qenë i fejuar më parë, por çifti u nda për shkak të alkoolizimit të 39-vjeçarit. Ndonëse kërkoi ribashkim me vajzën e familjes Xhaferri, prindërit refuzuan dhe autori mori hak duke qëlluar drejt tyre me breshëri automatiku. Nga kjo ngjarje, humbi jetën Lutfi Xhaferri, 59 vjeç ndërsa bashkëshortja e tij Naime Xhaferri, 55 vjeçe, mbeti e plagosur.