Ministrja e zhvillimit ekonomik Milva Ekonomi ka sqaruar për herë të parë rënien e inflacionit në nivelin më të ulët të 13 viteve të fundit. Numri një i ekonomisë në vend pranon se shkaku lidhet me rënien e konsumit, por efekti, sipas saj, është i stinës dhe se pritet një përmirësim në vijim. Në ndihmë të klimës së biznesit, ministrja Ekonomi deklaroi se po punohet për lehtësimin e proçedurave për lejet e ndërtimit dhe për thjeshtimin e proçedurave tatimore.

"Produktet që janë konsumuar më pak janë ato produkte të karakterit ushqimor dhe deri diku dhe ato me karakter industrial. Inflacioni është një gjë që luhatet gjatë muajve dhe deri në këtë muaj nuk tregon akoma asnjë gjë për inflacionin vjetor pasi viti sapo ka filluar. Zakonisht janari dhe shkurti kanë qenë muaj që karakterizohen nga një inflacion më i ulët dhe pastaj pranvera dhe vera shoqërohen përsëri me luhatje, me ngritje dhe rënie, sepse vera lidhet me stinën ku prodhohet më shumë produkti i gjelbër që konsumon një individ, një familje e caktuar në territor," – tha ministri Ekonomi.

Marrë nga televizioni "OraNews"