Numri i të sëmurëve mendorë në qarkun e Shkodrës është rritur frikshëm gjatë kohëve të fundit për shkak të varfërisë dhe kushteve të këqija të jetesës.

Vetëm në dy muajt e fundit të këtij viti, në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor kanë kërkuar trajtim më shumë se 2500 persona, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”, shifër kjo që kapërcen kufijtë e normales.

“Vetëm këta 2 muajt e fundit, sipas statistikave numri i të sëmurëve me probleme mendore është mbi 2.500, pa llogaritur këtu ndihmën që u ofrojmë personave që kanë probleme të tilla nëpër banesa dhe në komunitet. është një situatë që i kapërcen kufijtë e normales, pasi nuk ka ndodhur gjatë viteve të tjera që kaq shumë persona të paraqiten dhe të marrin shërbim brenda një periudhe 2-mujore.

Zakonisht numrin më të madh të vizitave e kanë grupmoshat nga 20 vjeç deri në 55 vjeç. Kjo është frekuenca më e madhe e vizitave. Këto mosha kanë probabilitetin për të shfaqur çrregullime mendore më të shumta. Kjo për faktin se impakti që kanë jo vetëm në jetën e tyre, por edhe në familje është shumë më i madh”,  tha mjeku Gjon Preçi për “GSH”.

Sipas mjekut, vetëm në vitin 2015, më shumë se 12 mijë persona kanë kërkuar shërbim të specializuar.