Brenda datës 30 prill, të gjithë qytetarët të cilët kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë, duhet të plotësojnë deklaratën individuale vjetore. Plotësimi i deklaratës bëhet vetëm në formë elektronike për individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura personale mbi 2 milionë lekë në vit dhe po ashtu, për personat jo rezidentë (individë të huaj), që realizojnë të njëjtën sasi të ardhurash vjetore në Republikën e Shqipërisë.

Referuar një liste të hartuar në vitin 2011, rezultonin mbi 4700 punonjës të administratës shtetërore, punonjës në universitetet shtetërore dhe të tjerë me funksione në sistemin gjyqësor shqiptar që kanë detyrimin ligjor, sipas kritereve të vendosura, për të deklaruar të ardhurat e tyre. Që nga ai vit, kjo listë është gjithnjë në ndryshim për shkak të vendosjes së personave të rinj, heqjen e disa të tjerëve, ndryshimit të institucioneve etj.

Deklarata plotësohet vetëm elektronikisht dhe ajo i ka qartësisht të ndara kërkesat e dhënies së informacionit mbi të ardhurat për individët që janë të detyruar të bëjnë këtë deklarim. Megjithatë, nuk mohohen as rastet kur, vite më parë, persona të ndryshëm nuk kanë qenë në dijeni të detyrimit për të bërë vetëdeklarimit dhe kanë marrë masë ndëshkimore në formë gjobe nga mosdija.

Marrë nga revista "Monitor"