Mësuesja palestineze, Hanan Al Hroub, ka fituar çmimin e mësuesit më të mirë në botë, prej 1 milion dollarësh.
Çmimi u dha në një ceremoni që është mbajtur në Dubai, dhe u përcoll me një video-mesazh urimi dërguar nga vetë princi William. Themelues i këtij çmimi është Fondacioni Varkey me seli në Britani dhe në zgjedhje hynë të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e shkollave publike dhe private në botë, nga kopshti deri në shkollë të mesme.
Hanan Al Hroub është e specializuar për mbështetjen e fëmijëve, të cilët kanë qenë të traumatizuar nga dhuna. Ajo u rrit në një kamp refugjatësh palestinezë dhe tani punon si mësuese. Pasi mori çmimin, mëuesja më e mirë në botë tha se do t’i shpenzojë paratë për përkrahjen e studentëve të saj.
Pjesëmarrës në Çmimet Globale të mësimdhënësve ishin mësuesit nga India, Kenia, Finlanda dhe Shtetet e Bashkuara.