Pele, ndoshta futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, ka vendosur të nxjerrë në ankand afro 2000 sende të ndryshme personale. Legjenda braziliane e futbollit do të shesë medalje që i ka fituar gjatë karrierës së tij, duke përfshirë dhe tri medalje të arta në botërorët e viteve 1958, 1962 dhe 1970. Njëkohësisht, ai do të shesë edhe trofeun "Jules Rimet", të cilin FIFA dhe Meksika e prodhuan posaçërisht për të, pas Kampionatit Botëror 1970.
Ankandi do të zhvillohet në Londër, nga Julien's Auctions, më 7 qershor. Vlera e të gjithë sendeve personale të Peles përllogaritet në mbi 1 milionë dollarë.
Një pjesë e mirë e të ardhurave të fituara nga shitja e sendeve Pele do t’i dhurojë për bamirësi, ku përfituesi kryesor do të jetë Spitali i Fëmijëve Pequeno Principe, në Koritiba.