Kreyministri serb Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se vendi i tij nuk do të shndërrohet në një parking apo qendër grumbullimi refugjatësh. Kreu i ekzekutivit u shpreh se do të trajtonte në përputhje me ligjin ndërkombëtar vetëm një numër minimal refugjatësh, të cilët kanë mbetur në Serbi pas mbylljes së të ashtuquajturës “rruga ballkanike”.
Vuçiç tha se Serbia po vepronte njësoj si Gjermania, Austria, Sllovenia dhe Kroacia, dhe se do të vazhdonte të bënte të njëjtën gjë edhe në të ardhmen. “Ne do të trajtojmë minimumin e numrit të emigrantëve në vendin tonë, sipas ligjit ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjshmëri për të mbrojtur të drejtat e refugjatëve, por ne nuk do të shndërrohemi në një parking apo qendër grumbullimi për ta”, u shpreh Vuçiç.