Tifozi i Leicester, Jon Prycke, ka marrë 29 mijë paundë nga kompania e basteve “Ladbrokes”, pasi ka vendosur të heq dorë nga basti që do t’i jepte atij 100 mijë paundë në fund të sezonit, nëse Leicester do të fitonte Premier League. Në fillim të sezonit, Prycke vuri 20 paundë bast për skuadrën e Claudio Ranieri si kampione, me koeficient 5,000. Nëse Leicester, që kryeson kampionatin nëntë ndeshje para fundit, shpallet kampion atij i takonin 100 mijë paundë, por vendosi të pranojë rreth 30% të shumës, sepse druhet se skuadrat kundërshtare do të parkojnë autobusin para portës në ndeshjet e ardhshme kundër “dhelprave”. 

Do të ishte koeficienti më i madh i fituar në historinë e basteve në Angli. “Unë e ndjej se fati ka mbaruar për ekipin e Leicester. Skuadra ka punuar shumë mirë, por ka fituar në ndeshjet kundër ekipeve të vogla, sepse ata hidheshin në sulm. Tani do të parkojnë autobusin deri në fund të kampionatit, sa herë të luajnë kundër nesh, – tha 59-vjeçari Prycke, i cili tregoi se ka edhe një bast tjetër ende të vlefshëm. 

-Kam vënë bast edhe që Leicester shkon në Champions League, me koeficient 400, kështu që mund të shijoj pjesën e mbetur të sezonit dhe të pres të marrë parà të tjera, kjo ishte arsyeja përse vendosa të marrë 29 mijë paundë që më ofruan. Ky ka qenë një sezon i çmendur dhe nuk do ta harroj kurrë që skuadra ime e zemrës më dha një shumë të tillë.”