Policia e Shtetit në Tiranë ka shoqëruar një student nga Kosova, mbi të cilin rëndon akuza e protestuesit që qëlloi me grusht dhe la pa ndjenja një efektiv të Policisë Bashkiake të Tiranës, në përplasjën gjatë protestës së shoqërisë civile kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial. Dyshohet se kosovari ka qëlluar policin bashkaik Dritan Hardhia. Policia e Shtetit ka bërë publike edhe disa të dhëna mbi përplasjen, duke sqaruar se është shoqëruar edhe aktivisti i shoqërisë civile Zirkon Disha.

Në njoftimin e lëshuar nga Policia e Shtetit, në Tiranë, thuhet se “shoqëria civile në mesditë ka tentuar për të futur dhe ngritur në Parkun e Liqenit një çadër të madhe që, sipas tyre, do të shërbente për ruajtjen e parkut nga ndërtimi i këndit të lojrave për fëmije nga Bashkia e Tiranës.”

“Aktivistet janë përplasur me Policinë bashkiake dhe si pasojë një polic bashkiak, D. Hardhia, 35 vjeç. dhe një qytetar, I. M, 31 vjeç, kanë pësuar humbje ndjenjash, – thekson më tek njoftimi i Policisë së Shtetit. – Një autombulancë mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe mori të lënduarit duke i dërguar për mjekim në spital. Nga forcat e Policisë së Shtetit është shoqeruar në Komisariatin Nr.1 një shtetas Kosovar, Aranit Beqiri, 20 vjeç, i cili dyshohet t’i ketë rënë me grusht policit bashkiak. Gjithashtu, është shoqëruar dhe një nga aktivistët, Zirkon Disha.”