Teuta po përgatitet për ndeshjen e radhës që do të luajë në shtëpi ndaj Bylisit. I riu Florian Kadriu, i cili ndaj Tiranës ka luajtur në pjesën e parë të takimit, është shprehur: “Jam i kënaqur me gjendjen time, pasi kam përmirësime pas problemit që kisha në kavilje. Nuk arrita që ta mbyllja ndeshjen ndaj Tiranës, për shkak të këtij problemi dhe shpresoj që në ndeshjet në vijim të jem në 100-përqindëshin tim”, sqaroi lojtari, i cili foli edhe për ndeshjen e radhës.
“Teuta ka vijuar përgatitjet për ndeshjen ndaj Bylisit. Kampionati po tregon se nuk ka skuadra të forta apo të dobëta, pasi të gjitha, edhe ato që janë në krye apo ato që luftojnë për mbijetesë kërkojnë të marrin sa më shumë pikë. Kështu që sfidën me Bylisin e kemi vlerësuar maksimalisht për të marrë maksimumin. Vetëm kështu mund të dalim të fituar nga stadiumi. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të ishte një gabim fatal pasi kundërshtarët tanë presin një hap fals”, u shpreh futbollisti i durrsakëve.
Në fund ai foli edhe për aspektin personal, duke thënë se aktivizimi me Teutën është një eksperiencë e vlefshme. “Angazhimi im në skuadër është maksimal si në stërvitje edhe kur aktivizohem në ndeshje zyrtare. Jam në një moshë të re dhe dua t’i falënderoj si drejtuesit, edhe trajnerin për mundësinë që po më japin”, ka mbyllur Kadriu.