Një shqiptar 29­ vjeç nga Shqipëria është gjetur sot pa jetë në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tregoi se Policia mëngjesin e sotëm ka marrë informacion për këtë vdekje, të cilën e cilësoi të dyshimtë. Sipas tij, në vendin ku është gjetur i vdekur 29­-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është gjetur edhe marijuanë.

“Deri në këto momente mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për një person i cili është pa shenja jete, një rast i cili është cilësuar si vdekje e dyshuar dhe policia po kryen edhe hetimet e mëtejme për të parë cilat janë elementet dhe shkaqet që kanë ardhur deri të kjo vdekje e dyshuar, në aspektin e hetimeve policore”, tha zëdhënësi.

“Dyshohet që viktima në këtë rast të jetë edhe përdorues i substancave narkotike. Mirëpo, ne presim që fjalën e fundit ta thotë mjekësia ligjore, pra, priten të gjitha rezultatet e ekzaminimeve”. Sipas informacioneve të “KosovaPress”, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe maska, të cilat janë të ngjashme me ato që janë përdorur në protestën e djeshme.