Hashim Thaçi nuk ka marrë dot votat e nevojshmë për t’u zgjedhur president i Kosovës në raundin e parë të votimit. Në sallë e Kuvendit kanë qenë të pranishëm 82 deputetë, duke e bërë të rregullt zhvillimin e seancës dhe të proçesit të votimit.
Deputetët Selvije Halimi nga Partia Demokratike e Kosovës, Njomza Emini nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sasha Mirosavljeviç nga Lista Srpska dhe Danush Ademi nga grupi i minoriteteve kanë formuar komisionin zgjedhor.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpallur fillimin e votimit. Por, në fund, pas numërimit të votave, Hashim Thaçi ka marrë vetëm 50 vota, që nuk e kanë mundësuar zgjedhjen e tij si president.
Më herët, opozita tentoi dy herë, duke hedhur gaz lotësjellës, për të ndaluar zhvillimin e seancës. Më pas, ajo ka braktisur sallën e Kuvendit, duke mundësuar kështu zhvillimin e proçesit të votimit. Ndërkohë, jashtë Kuvendit, opozita vijon protestën e vet.