Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në rrjetin social Facebook ka shkruar se Lista Serbe ka filluar ta kërcënojë kandidatin për president Hashim Thaçin dhe se ky i fundit është i gatshëm të premtojë e t’i japë gjithçka Serbisë për t’u bërë president i Kosovës. Më tej, Ymeri shkruan se opozita nuk do ta lejojë kurorëzimin e presidentit të Listës Serbe, Hashim Thaçit.

"Hashim Thaçi nuk mund të bëhet president pa plotësuar kërkesat e Listës Srpska, këtij subjekti që është krijuar në Beograd dhe nuk përfaqëson serbët e Kosovës, por vetëm Beogradin e Vucicit. Lista Srpska ia ka nisur ta kërcënojë Hashim Thaçin, që të nxjerrë maksimumin prej tij. Aq shumë e do pushtetin Thaçi, sa që është gati të premtojë e t’i japë gjithçka Serbisë për t’u bërë president i Kosovës. Por ne nuk do ta lejojmë kurorëzimin e presidentit të Listës Srpska, Hashim Thaçit," – shkruan Ymeri.