Merr fund enigma se si e kish futur në sallën e kuvendit gazin lotsjellës deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Gazeta Express në Prishtinë ka mundur të sigurojë pamjet e spitalit të këtij qyteti. Pavarësisht se një dokument spitalor është krejt personal dhe ai duhej të mbrohej me ligj, ai ka dalë duke i dhënë fund një debati. Haxhiu e kish fshehur gazin lotsjellës në trup duke e futur atë përmes organeve gjenitale.
Lidhur me këtë enigmë, ishte zhvilluar një betejë e madhe mediatike në Kosovë.
Gjatë fundjavës një lajm i përhapur me shpejtësi në rrjete sociale, dhe në portale, thoshte që deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje e kishte fshehur bombolën e gazit lotsjellës brenda trupit të saj, përmes organeve gjenitale.
Shkrimi i botuar së pari në Indeksonline, e pastaj i marrë edhe nga portalet tjera, ishte i ilustruar me një pamje ekografie, në të cilin shihej një objekt i dyshimtë. Nuk vonoi shumë dhe i njëjti dokument u përgënjeshtrua pasi doli që pamjet e tij ishin marrë në internet, nga një shkrim i botuar në mediat britanike, e që fliste për një bebe me dy gishta lart, në formë të shkronjës V.
Gazeta Express e hodhi poshtë zbulimin e kolegëve të saj duke ditur se në gjenezë të tij qëndronin propagandistët e qeverisë. "Prej eksponentëve politikë të koalicionit qeverisës ajo pamje fillimisht i ishte dhënë për botim Gazetës Express, një natë para se të botohej në Indeksonline. Për shkak të dyshimit të madh Express nuk e kishte botuar" ka sqaruar gazeta.
Më pas portali që e botoi, Indeksonline, kërkoi falje në mënyrë mjaft dinjitoze për shkarjen profesionale.
Mirëpo, si duket, e vërteta nuk paska qenë larg. Ajo çfarë kishte gabuar media në fjalë ishte vetëm pamja. Gazeta Express nga spitali i Prishtinës ka siguruar pamje të rentgenit të deputetes Haxhiu. Aty shihet një bombol e gazit lotsjellës, siç shihet edhe emri i deputetes mbi fotografim.
"Ka qenë një ditë mjaft e rëndë", tregon një mjek nga QKUK, i pranishëm në momentin e shtrimit të deputetit në spital.
"Pacientja e traumatizuar dhe e frikësuar. Ndërsa brenda sallës po shtyheshin policët dhe familjarët", tregon ky mjek i pranishëm.
"Mjekët u kanë thënë familjarëve që nëse nuk besonin atëherë mund edhe të largoheshin bashkë me pacientin", tha mjeku duke treguar se u ishte sosur durimi.
"E vërteta është se brenda trupit të deputetes është gjetur një objekt".
Në këtë mënyrë duket se përfundon edhe enigma e futjes se gazit lotsjellës. Ajo, sipas të gjitha gjasave, është bërë përmes femrave deputete. Në anën tjetër Glauk Konjufca, por edhe zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosja, kur pyeteshin për të vërtetën e futjes së gazit brenda murit të Kuvendit vazhdimisht thoshin se kjo bëhej me ndihmën e policisë shkruan gazeta “Express”.