Ronaldo Luiz Nazaro de Lima, i njohur ndryshe si ‘fenomeni’, është ndarë si sportist me Interin vite më parë, por jo shpirtërisht.

Disa foto të publikuara në profilet e Ronaldos në rrjetet sociale, e tregojnë atë gjatë një takimi në Milano me ish-presidentin e zikaltërve, Masimo Moratin. Në një postim në “Instagram”, Ronaldo shkruan:

“Sot në drekë me babanë tim të Milanos…”. Ndërsa në një tjetër publikim në rrjetet sociale, ai thotë se “Interi ishte, është dhe do të jetë gjithmonë familja ime”.

Tifozët e Interit duket se nuk e kanë harruar ende kohën në të cilën ylli brazilian ishte pjesë e zikaltërve dhe këtë e tregojnë reagimet e tyre. Mijëra ‘pëlqime’ dhe qindra komente janë bërë në dy fotot e tij në “Instagram”.