Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur vendimin e dhënies së dorëheqjes të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit te Kosoves. Këtë Haradinaj e ka bërë në një njoftim për media. “Duke e parë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një institucion për mbluesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria, duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët me urdhër politik tërhiqën zvarrë nga policia, dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës,” – shkruhet në njoftimin e liderit të AAK.

“Në mandatin tim prej deputeti jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshire edhe gabimet që po bëhëshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit,” – vazhdon më tej deklarata. Sipas Haradinajt e vetmja kundërpërgjigje ndaj këtij injorimi është gazi lotësjellës ndaj pushtetarëve. “Pas ditës së sotme ndërkaq, konsideroj se Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk është më një institucion demokratik dhe rrjedhimisht unë nuk e shoh vetën më pjesë të kësaj legjislature,” – përfundon deklarata e Haradinaj.