Sulmuesi i Leicester City Jamie Vardy ka zgjedhur aktorin që duhet të luajë në filmin biografik të rrugës së tij drejt famës. E përditshmja angleze The Sun raporton se kompanitë e mëdha të prodhimit të filmave në Amerikë janë të interesuara për të xhiruar një film mbi jetën, si në përralla, të Jamie Vardy duke nisur nga aventurat e tij nëpër ekipe amatore deri në ditët e sotme ku ai është golashënuesi kryesor i Premier League.
Vardy ka konfirmuar se filmi është në rrugë të mbarë për t’u xhiruar, lojtari i përfaqësueses angleze ka zgjedhur edhe aktorin i cili duhet të luajë rolin kryesor në biografinë e tij. “Për momentin filmi ka shumë mundësi të realizohet,” shprehet Vardy. “Mbase do të mërziten për këtë që do të them, por duhet të presim reagimin e tyre. Unë dua që personazhin tim ta luajë Vinnie Jones.”
Shtypi gjatë kohëve të fundit ka raportuar se kompanitë ishin në kërkim të një ylli për rolin e Vardy-t, emra si këngëtari i One Diraction Loius Tomlinson apo Zac Effron ishin në krye të listës. Por dëshira e Vardy-t duket sikur do të plotësohet, dhe me siguri shikuesit do të jenë po aq të kënaqur, teksa futbollisti i kthyer në aktor Vinnie Jones ka eksperiencë në të dyja fushat.