Kosova sot mbush tetë vjet shtet i pavarur. Më 17 shkurt të vitit 2008, në një seancë solemne Kosova u shpall shtet i pavarur, që deri në atë kohë administrohej nga UNMIK-u.

Shpalljes së Pavarësisë i ka paraprirë një proces i gjatë dhe i vështirë, qysh nga viti 1989.

Por në këtë 8-vjetor, sfida më e madhe për shtetin e Kosovës për momentin është ajo e kalimit të ngërçit politik. Ku forcat opozitare të Kosovës prej muajsh nuk lejojnë zhvillimin e seancave normale parlamentare, pasi kundërshtojnë dy marrëveshjet, atë të Zajednicës dhe të Demarkacionit.

Pikërisht sot, në 8 vjetorin e pavarësisë opozita ka paralajmëruar një protestës, që sipas saj do të jetë masive për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës. Partitë opozitare kanë vlerësuar se protesta e cila do të mbahet sot në orën 14:00, do të jetë më masivja që nga paslufta.

Shteti më i ri evropian e feston 8-vjetorin me sfida të reja europiane, siç është ajo e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe lëvizja e lirë në zonën Euro. Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.