Ish-kryeministri italian Mario Monti është fotografuar, teksa mbante radhën në spital për të vizituar bashkëshorten e tij. Fotografia është publikuar në Facebook nga një qytetar, i cili ndodhej në të njëjtin spital në Milano, në momentin kur ka mbërritur ish-kryeministri. Luca Gaspari shkruan në Facebook se Mario Monti u soll në spital ashtu siç sillet një njeri i zakonshëm në përditshmërinë e tij, duke treguar modelin e një politikani që të gjithë do të dëshironin.

"Dje më ndodhi diçka e pazakontë. Isha në një spital në Milano me nënën time dhe në një moment erdhi Prof. Mario Monti me bashkëshorten e tij. Zonja Monti duhej t’i nënshtrohej të njëjtës ndërhyrje, për të cilën ishte në pritje edhe mamaja ime. Profesor Monti erdhi pa eskortë, mbajti radhë si të gjithë dhe gruaja e tij priti radhën si çdokush. U ul në shkallë, foli me këdo që e pyeste për diçka, pa u bezdisur dhe punoi gjatë gjithë kohës. Këtë dedikim dua t’ua kushtoj të gjithë atyre vulgarëve që na përfaqësojnë, që në vazhdimësi shfrytëzojnë pozicionin e tyre për interesin e tyre personal. Sensi i gjithçkaje është që kur je i Madh nuk ke nevojë ta shprehësh këtë gjë! Personalisht mbetem vetëm me një dyshim… nuk e di si e preferonte ujin, të gazuar apo natyral! Komplimente,”- shkruan Luca Gaspari në profilin e tij ne Facebook.