Ministria e Zhvillimit Urban dhe Banka Botërore kanë nisur punën për rehabilitimin urban të jugut të Shqipërisë. Projekti kap vlerën 55 milion euro dhe do të shtrihet në pese vitet e ardhshme në qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës e Vlorës, dhe bashkitë përkatëse. Qëllimi i projektit është të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit të Jugut, përmes projekteve të infrastrukturës urbane dhe projekteve të rigjenerimit urban. Grupi ndërinstitucional dhe misioni i Bankës Botërore u takua sot me përfaqësuesit e bashkive që kanë aplikuar për projekte, për të detajuar kriteret mbi të cilat do të bëhet përzgjedhja e projekteve të paraqitura prej tyre.

Zëvendësministri i zhvillimit urban Gjon Radovani tha se "fondi i akorduar nga Banka Botërore është dy herë më i madh sesa ai fazës së parë të projektit, nisur në vitin 2004 dhe përfunduar në vitin 2014." "Filozofia e investimeve do të jetë identifikimi i zonave fokusale, ku ekonomia do të mund të zhvillohet më shpejt nëse investohet në mënyrë integrale. Çdo bashki që nuk i qëndron kontratës për zbatimin e projekteve si në afate ashtu edhe në cilësinë e zbatimit do të ndëshkohet," – tha Radovani.

Banka Botërore ka zbritur në terren dhe ka hartuar një listë kriteresh mbi bazën e të cilave do të përzgjidhen zonat se ku do të ndërhyhet. Paula Restrepo Cadavid, menaxhere e projekteve në misionin e Bankës Botërore, u beri me dije përfaqësuesve të bashkive se kriteri kryesor i miratimit të projekteve është ndikimi që ato do të kenë te banorët. Pas përzgjedhjes së projekteve më të mira, në muajin qershor pritet të nisë puna për zbatimin e tyre.