Gratë dhe vajzat e Tropojës u organizuan dje në një marshim homazhi dhe proteste, në përkujtim të Elidona Demirajt, e vrarë pak ditë më parë në Londër.

Dhuna ndaj grave është kthyer në një fenomen shqetësues që nuk identifikohet gjeografikisht, ishte mesazhi që dhanë pjesëmarrëset në këtë marshim.

E pranishme ishte dhe deputetja demokrate Mimoza Hajdarmataj, e cila si bijë Tropoje, si nënë e si bashkëshorte, u bëri apel burrave, djemve, baballarëve të mos ushtrojnë dhunë mbi gratë sepse ato janë shpirti i sakrificës dhe vatra e dashurisë familjare.

Apeli më i fortë shkoi për shtetin, për qeverinë, që ti vërë fre varfërisë e mjerimit që i bën gratë më të nënshtruara dhe nuk u krijon atyre asnjë mundësi punësimi e angazhimi profesional.

Sipas deputetes, janë me qindra vajza e nëna të cilat në pamundësinë e punësimit dhe shkollimit, dy vitet e fundit janë larguar nga Tropoja në kërkim të një jete normale në Perëndim, por që për shumë vajza të reja po kthehet në burim për tragjedi njerëzore.

Në këtë tubim kundër dhunës ndaj grave, morën pjesë përfaqësuese të bashkisë, nëna e vajza të Tropojës, gjimnaziste dhe aktiviste të shoqërisë civile.