Qeveria ka pranuar për herë të parë se rritja e taksave nuk ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet. Përkundrazi, rritja solli më pak të ardhura. Programi i Reformave Ekonomike 2016 – 2018, një dokument ky i miratuar nga qeveria dhe i botuar në Fletoren Zyrtare, rendit edhe faktorët që kanë ndikuar në mosmbledhjen e të ardhurave të planifikuara në buxhet. Mes tyre pranohen dy elementë, të kundërshtuar deri më tani nga qeveria: së pari, që është bërë rritje e taksave dhe, së dyti, që rritja nuk ka sjellë më shumë të ardhura gjatë vitit 2015. Përkundrazi, kjo ka dekurajuar qytetarët dhe bizneset të paguajnë.

"Mungesat te të ardhurat reflektuan disa çështje të parashikimit në buxhetin e vitit 2015: faktorët makroekonomikë, si rritja e PBB më e ulët pritshmëria, normat e interesit dhe çmimet të naftës, si edhe reagimi ndaj rritjes së taksave që hyri në fuqi në janar të vitit 2015," – theksohet në dokumentin e qeverisë. Problemet me të ardhurat pritet të shoqërojnë buxhetin e shtetit edhe gjatë këtij viti. Ministri i financave Shkëlqim Cani ka pranuar një humbje prej 3,5 miliardë lekësh në buxhet që në fillim të vitit për shkak të rënies së çmimit të naftës, të ardhura që pritet të kompensohen nga lufta kundër informalitetit. Ministri Cani ka deklaruar se nuk do të ketë më rritje taksash, por vetëm rregullime ligjore që do të bëhen në paketën fiskale 2017.