Partizani ka zhgënjyer me rezultatin e arritur në javën e 20-të të Superiores. Jo vetëm tifozët që ishin në stadium, mijërat e tjerë anekënd vendit, por edhe personazhë publikë kanë mbtur zemërthyer nga barazimi 1-1 ndaj Flamurtarit.
Njëri ndër ta është deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, që s’u ndahet “demave”, veçanërisht kur luajnë brenda në shtëpi. Edhe dje ka qenë në tribunën VIP të “Qemal Stafës”, në krah të presidentit Gaz Demi dhe ish-trajnerit, Sulejman Starova. Ata që kanë qenë në tribunat kryesore, afër me atë VIP, e kanë parë me sytë e tyre se sa nervoz ka qenë ligjvënësi shqiptar, teksa nuk ka munguar të komunikojë edhe me gjyqtarin e katërt poshtë.
Duket se goli i mohuar për Partizanin, kur topi e kishte kaluar vijën fatale, por anësori Dervishi nuk e vuri re (në këtë ndeshje me shumë rëndësi, mungonin arbitrat pas porte, çuditërisht), nuk është kapërdirë nga Braçe.
Inatin e tij e ka dhe me lojtarët e kuq, çka e “skalit” përmes një statusi në Facebook:Deputeti i së majtës nuk kursen askënd, ç’është e vërteta, lojtarët e Partizanit, gjyqtarin e ndeshjes dhe “korin e Vlorës, që shante nga motra”.
Ja statusi i plotë i tij: “Partizani është mbi të gjithë. Sot e merituan vetëm “Guerrils”. Vetëm këta e merituan stadiumin sot! Askush tjetër! Madje, të tjerëve t’u vijë turp! Secili nga ata që luajti sot; t’i vijë turp nga ata që për 98 minuta nuk rreshtën së kënduari për ta! Secili nga ata që e mban atë bluzë të kuqe, duhet të kuptojë që: është aty për ekipin, për Partizanin; nuk duhet të jetë një individ, qoftë edhe yll, por një pjesë e së tërës, ekipit; Braçe e konsideron si qorr gjyqtarin e ndeshjes, duke i kujtuar sharjet në Vlorë dhe batutën “Pashaji nuk ka motër”.
Është aty për të mundur kundërshtarin, jo për të mundur shokun e ekipit; është aty për të shkëlqyer si ekip, jo si individ! Partizani mbi të gjithë. Aaaa, dhe një gjë në fund; qorr arbitër si ky, unë kam parë rrallë: Gjysëm metri brenda portës topi dhe për të nuk ishte gool! Tani e ftoj sërish korin e Vlorës ta shaj nga motra, se motra e tij i shpëtoi sot; meqë e kanë të njohur!!”
Edhe në replikat me komentuesit ka qenë i ashpër deputeti Erion Braçe, duke e përjetuar shumë keq barazimin me Flamurtarin, lënien e dy pikëve të çmuara në javën e 20-të të Superiores. “elidonmalaj” e provokon deputetin socialist: “Mos u bëj më keq se Ridvan Bode në kohën e Skënderbeut. Duart e ndyra të politikës duhet të rrinë larg nga i vetmi gëzim që ka ngelur. I vetmi për faj të politikës.”
Braçe përgjigjet pa e mbajtur aspak gojën: “Shko or budalla, mos na hap barkun. Kur unë ndiqja Partizanin, ti, Bode dhe gjithë idiotët e tjerë nuk dinit ç’ishte topi dhe politika. M’u zhduk tani!”