Ministrja e zhvillimit urban Eglantina Gjermeni u ka dërguar një letër të gjitha bashkive të vendit, ku u rikujton atyre se dhënia e lejeve nuk duhet të kushtëzohet nga procesi i hartimit të planeve rregulluese, të cilat do të jenë gati në muajin korrik. Gjermeni thekson se “procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore nuk pengon dhe nuk duhet të konsiderohet nga kryetarët e bashkive si faktor bllokues i zhvillimit të territorit, qoftë kjo për nevoja të biznesit privat, ashtu edhe për nevoja të strehimit të qytetarëve.”
Ministrja Gjermeni bën me dije se miratimi i planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi 6 kate, jepet me leje të bashkive pas një kontrolli paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit. Ajo thekson se ndërtimet e reja në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike dhe përgjatë brezit bregdetar do të jenë objekt shqyrtimi i Këshillit Kombëtar të Territorit deri në miratimin e planeve të reja vendore.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë duke punuar për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit dhe trajnimin vijues të bashkive lidhur me procesin e lejedhënies. “Me ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, parashikohet që aplikimi të kryhet ekskluzivisht online përmes portalit e-Albania, ku secili aplikues do të mund të aksesojë me kredencialet dhe firmën elektronike të tij dhe të ndjekë statusin e shqyrtimit të aplikimit nga autoritetet përgjegjëse,” – sqaron ministrja. Ministria e Zhvillimit Urban dhe grupi i punës janë angazhuar që sistemi elektronik të vihet në funksion të plotë duke filluar nga muaji mars.
Marrë nga Shekulli