Çdo punëdhënës që trajnon të rinj nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ apo ‘Master’ sipas fushës së diplomimit, do të mund të përfitojë nga shteti 22 mijë lekë në muaj përgjatë gjithë periudhës së trajnimit”. Kjo është përcaktuar në një Vendim të Këshillit të Ministrave, që ka për qëllim nxitjen e punësimit të të rinjve përmes formimit në punë.

Po ashtu, sipas vendimit, zyra përkatëse e punësimit do të financojë punëdhënësin në masën 10 000 lekë në muaj për trajnim, për çdo person, për një periudhë 3-mujore dhe me një financim mujor, në masën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën 25 000 lekë për 9 muaj, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se 15 muaj, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Një tjetër përfitim për këta punëdhënës është edhe fakti se për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë sipas këtij programi, do të merren katër paga, në vlerën 25 000 lekë, në muajin e tretë e të katërt dhe në muajin e tetë e të nëntë të kontratës.