Pikërisht diga më e madhe, e cila do të krijonte rezerva ujore prej 7 miliardë metër kub ujë në kaskadën e Lumit të Drinit të Zi, në Skavicë, është hedhur poshtë, pasi u konsiderua si shumë e shtrenjtë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, gjatë punimeve të një tryeze me donatorët për energjinë, ka sqaruar se ka kontraktuar një konsulent francez për të studiuar fizibilitetin e tre hidrocentraleve të parashikuara në Skavicë: Skavica I, Skavica II dhe Katundi i Ri. Sipas studimit të kryer, HEC Skavica I nuk do të ndërtohet, ndërkohë që HEC Skavica II dhe HEC Katundi i Ri konsiderohen si më të leverdisshëm, pasi janë më të vegjël.

Por, specialistët mendojnë se ky është një vendim i nxituar i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, pasi ndërtimi i dy hidrocentraleve të vegjël do ta bënte të pamundur teknikisht ndërtimin e hidrocentralit të madh, duke i hequr kështu mundësinë vendit për një nga burimet e veta më të mëdha energjitike dhe ujore.

HEC Skavica I, në bazë të projektit të hartuar që në vitet ’60, kërkon afro 660 milionë dollarë. Qeveria ka patur një kërkesë nga një kompani italiane për ndërtimin me konçesion të këtij hidrocentrali, por ende nuk kanë ardhur proçedurat deri tek fillimi i punimeve. Ndërkohë, tani, duket se nuk do të ndërtohet. Studimi i kryer nga konsulenti francez ka theksuar se, krahas faktit se kërkon një investim të konsiderueshëm, ndikimi i tij në mjedis është i madh.

Dy hidrocentralet e tjera, që janë shumë më të vegjël, pritet të ndërtohen, njëri me konçesion dhe tjetri nga vetë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.