Të gjithë punëdhënësit që do të marrin në punë persona punëkërkues në statusin e jetimit, që janë nën moshën 30 vjeç, do të shpërblehen nga qeveria me 9 paga mujore në masën 22 mijë lekë.
Përfitimet nuk ndalen me kaq, pasi për çdo të punësuar, punëdhënësi do të përfitojë edhe 6 paga në masën 50% të pagës minimale në shkallë vendi, pra 11 mijë lekë.
Kjo u përcaktua në një vendim të Këshillit të Ministrave të mbajtur gjatë mbledhjes së ditës të djeshme.
Kushti për t’i përfituar këto shpërblime, është që punëdhënësi duhet t’i ofrojë punëkërkuesit një kontratë jo më të shkurtër se 21 muaj.
Nëse punëdhënësi prish kontratën në mënyrë të njëanshme, atëherë duhet të kthejë mbrapsht të gjitha përfitimet, së bashku me interesat sipas normës bazë të interesit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.