Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë nuk do të jetë funksional nga data 19 shkurt deri më 28 shkurt. Gjatë këtyre 10 ditëve pagesat do të kryhen në mënyrë manuale. Ministria e Financave ka shpjeguar se arsyeja është përmirësimi i infrastrukturës qendrore të sistemit. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim, i cili iu është vënë në dispozicion të gjitha njësive shpenzuese, që të kryejnë ekzekutimin e të gjitha pagesave të muajit shkurt përpara datës 19 të këtij muaji.
Ministrisa e Financave do të vijojë të kryejë transferta direkte qendrore nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, pagesa për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Fondin Special të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si edhe pagesat e shërbimit të borxhit.
“Ndërprerja e funksionimit të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë është e domosdoshme për shkak të zëvendësimit të infrastrukturës ekzistuese me infrastrukturë të re më të përparuar, si domosdoshmëri për garantimin e mirëfunksionimit të sistemit, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. – Ky është investimi i parë i bërë në këtë drejtim që nga instalimi dhe funksionimi ‘live’ i këtij sistemi. Investimi është kryer me fondet e buxhetit.”