Me gjithë sulmin e opozitës ndaj bunkerit në 8 dhjetor, qeveria nuk tërhiqet nga plani për objektin në sheshin e ministrive. Këto ditë pritet të nisë puna, sipas një projekti për ta shndërruar bunkerin dhe strehimin nëntokësor antiatomik, në një muze të vizitueshëm për turistët. Këshilltari i kryeministrit për monumentet jep detajet e objektit që synon të jetë një reflektim për kujtesën se çfarë mund të bëhet me një popull nën diktaturë.
"Çështjet e memories duhen trajtuar me kujdes dhe seriozitet. Nuk janë çështje gallate e sulmesh politike por duhen shndërruar në platforma për të pyetur pse e pësuam më keq komunizmin. Dhe shpesh herë përgjigjja ndodhet këtu tek ne e nën këmbët tona," – thotë arkitekti Artan Shkreli.
"Thelbi, – thotë Shkreli, – është të mos harrohet ajo periudhë ankthi dhe në një farë mënyre muzeu do të jetë edhe një ironi me vetveten, pasi të gjitha gjurmët e dhunës së 8 dhjetorit do të ruhen sa të jetë e mundur. Kuptohet që protesta la gjurmët e veta sepse bunkeri s’qe ndërtuar për t’i rezistuar trysnisë, por pati të mirën se i dha jetueshmëri dhe vizibilitet historie qe përndryshe do ishte thjesht një objekt i ri."
Marrë nga Top Channel





