Për të disatën herë, shëtitorja “Taulantia” në Durrës ka rënë pre e keqbërësve, duke mbetur e errët dhe pa ndriçim në orët e mbrëmjes, kohë kur kjo shëtitore është e frekuentuar nga qytetarët. Jo vetëm që fenerët e ndriçimit janë grabitur për skrap, por edhe ato që kanë mbetur, u janë vjedhur llambat, duke lënë në errësirë të plotë shëtitoren më të frekuentuar buzë detit në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, teksa në mëngjes, punonjësit e Pastrim-Gjelbërimit të Durrësit kanë parë mungesën e sistemit të ndriçimit në shëtitoren kryesore të qytetit buzë detit dhe vjedhjen e llambave ndriçuese.

Në mbrëmje, qytetarët janë të detyruar të bëjnë shëtitje në errësirë të plotë, duke u bërë apel bashkisë së qytetit të vendosë shtyllat e vjedhura dhe të ndriçojë të vetmen shëtitore, ndërsa policisë të ndalojë keqbërësit.  

Shëtitorja “Taulantia” ka mbetur e pajetë, për shkak të errësirës që pushton të gjithë hapësirën e saj. “Hafijet” e natës, në mungesë edhe të rojeve të lodrave e kanë më të lehtë të vjedhin ç’të mundin dhe nuk kanë kursyer edhe fenerët. Në një gjatësi prej qindra metrash janë zhdukur dhe dëmtuar të gjitha shtyllat e ndriçimit, e po ashtu janë dëmtuar edhe fenerët e pjesës tjetër të shëtitores ku teli përcjellës i tyre është vjedhur.

Strukturat vendore, por edhe policia nuk kanë ende autorë të dyshuar të ngjarjes së rëndë, e cila klasifikohet si shkatërrim i pronës publike. Qytetarët apelojnë bashkinë dhe policinë, për të rivendosur ndriçimin tani që shëtitorja do të frekuentohet në pranverë, dhe policia të vendosë para drejtësisë autorët.

“Bashkia të mos vonojë vendosjen e tyre, sepse çdo mbrëmje, fëmijët këtë vend kanë si qendër të argëtimit të tyre. Nuk mund të sjellim fëmijët këtu sepse është errësirë dhe na humbasin. Por nuk ka vend tjetër ku të luajnë dhe të argëtohen”, shprehet një qytetare durrsake e indinjuar.

Është një situatë paradoksale, teksa prona publike, këtë radhë shtyllat e ndriçimit, dëmtohen dhe vidhen nga njerëz që nëpërmjet tyre sigurojnë fitimin e ditës.

K.H.