200 prindër të nxënësve të shkollës “Hasan Koçi” dhe 200 nxënës të po kësaj shkolle, kanë firmosur një peticion dërguar ministres së Arsimit, me kërkesë rikthimin e mësuesit Flamur Pajo në shkollë.

Peticioni

Prej largimit të mësuesit nga puna me vendim të drejtorisë së shkollës, reagimi i nxënësve dhe i prindërve ka qenë i madh. Sot, presidentja e qeverisë së nxënësve Floida Gjuzi, ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit peticionet e prindërve dhe të nxënësve të shkollës 9-vjeçare. Nuk dihet nëse ministrja do ta marrë në shqyrtim peticionin e prindërve dhe nxënësve të shkollës së Shkozetit, por fakt është se Ministria reagoi menjëherë me bllokimin e celularëve në shkolla.

Mësuesi i Bio-kimisë Flamur Pajo u regjistrua në një video duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi të klasës së  VII C, më 26 janar. Pas kësaj, mësuesi u shkarkua direkt nga mësimi, dhe u ndalua nga policia me akuzën e ushtrimit të veprimeve arbitrare. Menjëherë pas publikimit të videos, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla urdhëroi që në shkolla, as mësuesit dhe as nxënësit të mos përdorin celularë. Çdo mësues e çdo nxënës në momentin që hyn në shkollë duhet të dorëzojë celularët, dhe t’i marrë në momentin që përfundon mësimin.

K.H.