Një nga segmentet rrugore më të rëndësishme që përshkon zonën industriale nga Shkozeti në Shijak, duke përshkuar Rrashbullin, Xhafzotajn deri te 4 Rrugët, është lënë jo vetëm në mëshirën e fatit, por për pikë të hallit të banorëve që udhëtojnë aty. Gropa që shkojnë deri në 50 cm, janë hapur në rrugë, ndërsa banorët e konsiderojnë këtë të qëllimshme nga ana e pushtetit lokal.
Situata:
Në të dyja anët e rrugës janë me dhjetëra biznese të ndërtuara prej vitit 1990, godina industriale tregtie dhe shërbimi. Këto biznese janë ndër të parat aktivitete private të hapura në vendin tonë. E gjithë kjo zonë ka qenë lider i zhvillimit ekonomik për qytetin e Durrësit, në dy dekadat e fundit. Por çfarë po ndodh aktualisht?
Shkatërrimi i segmentit rrugor dhe bërja e tij e pakalueshme për mjetet e transportit, ka bërë që zona të mbetet e mjerë. Përveç banorëve që janë të detyruar të kalojnë në rrugë për të përfunduar punët e përditshme, gjithë të tjerët e shmangin këtë rrugë nga qarkullimi.
“Këtu po nuk e pate mendjen te gropat në rrugë bëhesh copa. Nëse pëson vetëm makina dëm është mirë, por edhe drejtuesit e automjeteve janë të rrezikuar, sepse duke shmangur gropat përplasen makinat”, thonë banorët.
“Kjo ka qenë zonë me popull demokrat, edhe pse votoi majtas në zgjedhjet e fundit, asnjë investim, asnjë gjë nuk është bërë”, thotë një banor tjetër.
“E kanë lënë qëllimisht që të shkatërrojnë biznesin e kësaj zone”, thotë pronari i një pike shërbimi. “Këtu populli nuk ngrihet, nuk proteston, dhe ekonomia tyre ka marrë fund”, nënvizon ai.
K.H.