Këshilli Ekonomik Kombëtar ka mbajtur pasditen e sotme mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Duke e cilësuar turizmin si burim real të rritjes ekonomike, Rama u shpreh se nën modelin e Bashkimit Evropian, qeveria ka krijuar të gjitha kushtet për inkurajimin e turizmit, përmes një platforme favorizuese, çka është reflektuar me një rritje në aspektin sasior dhe cilësor të turizmit në vitin 2015.
Sipas kryeministrit, në tremujorin e dytë të këtij viti pati një rritje të të ardhurave me 65 mln euro, dy herë më shumë se një vit më parë për shkak të fuqisë në rritje të turizmit. “Turizmi u rrit me 12 përqind, të ardhurat 4 përqind në krahasim me një vit më parë, – tha kryeministri Rama. – Pati një zgjerim të gjeografisë të vendeve nga erdhën turistët. Konstatojmë një numër në rritje të turistëve nga Austria, Suedia, Europa Veriore në përgjithësi si edhe nga Rusia.”





